Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një vizitë në Dublin të Irlandës, ku, me ftesë të Institutit të Çështjeve Ndërkombëtare dhe Europiane (IIEA), ka mbajtur një fjalim përpara ekspertëve të çështjeve europiane dhe të Ballkanit, si dhe përfaqësuesve të trupit diplomatik.
Gjatë diskutimit, Rama u ndal te lufta kundër korrupsionit dhe reforma në drejtësi, duke e cilësuar si një zhvillim të rëndësishëm faktin që raporti i fundit i Komisionit Europian nuk e përshkruan më korrupsionin si një fenomen gjerësisht të përhapur, por thekson se ai mbetet një shqetësim.
Sipas kryeministrit, Shqipëria nuk ka pasur më parë një sistem gjyqësor të pavarur që të mundësonte gjykimin e personave me pushtet politik. Ai argumentoi se reforma në drejtësi ka ndihmuar në shkëputjen e sistemit nga ndikimi i politikës dhe se tashmë edhe zyrtarë të niveleve të larta mund të përballen me drejtësinë.
“E vetmja gjë është që të vazhdojmë përpara, nuk ka më mbrojtje për askënd që del përpara drejtësisë”, u shpreh Rama, duke pranuar se gjatë këtij procesi mund të ketë edhe tejkalime nga ana e institucioneve gjyqësore.
Kreu i qeverisë foli gjithashtu për marrëdhëniet me Greqinë, të cilat i cilësoi të shkëlqyera, por theksoi se mes dy vendeve mbetet e pazgjidhur çështja e kufirit detar. Sipas tij, palët kanë rënë dakord që kjo çështje t’i nënshtrohet një vendimi nga një gjykatë ndërkombëtare.
I pyetur për protestat në Shqipëri dhe akuzat për korrupsion, Rama kundërshtoi shifrat e përmendura për pjesëmarrjen në tubime, duke deklaruar se ato nuk përputhen me popullsinë e vendit dhe përmasat e bulevardit. Ai pranoi se në vend ka probleme me korrupsionin, por këmbënguli se qeveria po e lufton atë.
Rama përsëriti edhe pretendimet e tij për ndërhyrje iraniane përmes rrjeteve sociale, duke sqaruar se nuk ka akuzuar protestuesit se janë dërguar në shesh nga regjimi iranian, por se, sipas tij, Irani ka ndikuar përmes mediave sociale.
Një pjesë e diskutimit iu kushtua edhe luftës në Ukrainë dhe rolit të Europës në përpjekjet për paqe. Rama kritikoi vendet europiane për atë që e konsideroi tërheqje nga diplomacia dhe përqendrim të tepruar te armatimet.
Ai u shpreh se Europa nuk duhet t’ia delegojë përpjekjet për paqe vetëm presidentit amerikan Donald Trump dhe të dërguarit të tij, Steve Witkoff, duke theksuar se Rusia do të mbetet pjesë e realitetit gjeopolitik europian dhe se lufta nuk mund të vazhdojë përgjithmonë.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri foli edhe për marrëdhëniet me Rusinë, duke kujtuar se Shqipëria nuk ka pasur marrëdhënie domethënëse me Moskën prej dekadash dhe se nuk ka pasur fluturime direkte apo takime të nivelit të lartë me Kremlinin.