Organizimi i samitit të NATO-s në Tiranë gjatë vitit të ardhshëm po përballet me pasiguri, pasi vendet anëtare të Aleancës ende nuk kanë konfirmuar qartë angazhimin e tyre për zhvillimin e këtij aktiviteti në Shqipëri.
Në këto kushte, autoritetet shqiptare po shqyrtojnë edhe skenarë të tjerë për realizimin e takimit të nivelit të lartë, mes të cilëve shtyrjen e tij për një moment tjetër ose organizimin në format virtual.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, në një prononcim për median europiane POLITICO, bëri të ditur se Shqipëria është e hapur për të shqyrtuar alternativa të ndryshme, në varësi të rrethanave dhe vendimeve të Aleancës.
“Shqipëria është e gatshme të shqyrtojë alternativa të ndryshme për organizimin e samitit të Aleancës”, deklaroi Nufi.
Sipas POLITICO, rezervat e disa vendeve aleate lidhen kryesisht me nivelin e shpenzimeve që Shqipëria alokon për mbrojtjen, si dhe me klimën e tensionuar në marrëdhëniet me presidentin amerikan, Donald Trump.
Për momentin, nuk ka një vendim përfundimtar mbi fatin e samitit, ndërsa mundësia e ndryshimit të formatit apo e shtyrjes së tij mbetet në tryezë.
Kështu, organizimi i një prej aktiviteteve më të rëndësishme të NATO-s në Tiranë vijon të jetë i paqartë, në pritje të një qëndrimi më të qartë nga vendet anëtare të Aleancës.