Bisedimet trepalëshe mes Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund luftës kanë nisur të martën në Abu Dhabi. Këto janë takimet e para të drejtpërdrejta mes përfaqësuesve rusë dhe ukrainas që nga muaji shkurt, ndërsa Uashingtoni synon t’i japë një shtysë të re përpjekjeve diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje paqeje.
Negociatat pritet të zgjasin dy ditë dhe të përqendrohen te garancitë e sigurisë, ulja e tensioneve dhe kushtet e mundshme për përfundimin e konfliktit.
Delegacioni rus kryesohet nga Vladimir Medinsky, ndërsa Ukrainën e përfaqëson Rustem Umerov. Në tryezën e bisedimeve, pala amerikane përfaqësohet nga Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
Takimi zhvillohet pas deklaratave të fundit të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili është shprehur optimist për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje më të gjerë për përfundimin e luftës. Sipas tij, një zgjidhje e tillë mund të përfshijë edhe çështje që lidhen me sigurinë europiane.
Pavarësisht rifillimit të përpjekjeve diplomatike, Moska dhe Kievi vijojnë të kenë mospajtime të rëndësishme për kushtet e një marrëveshjeje të mundshme.
Bisedimet në Abu Dhabi pritet të tregojnë nëse palët mund të gjejnë pika të përbashkëta për uljen e tensioneve dhe avancimin drejt një zgjidhjeje paqësore.