Një lidhje e re dashurie ka rikthyer në vëmendjen e mediave rozë italiane moderatorin e njohur Paolo Bonolis. Në moshën 65-vjeçare, prezantuesi televiziv ka konfirmuar marrëdhënien me sipërmarrësen 32-vjeçare Carola Moroni, 33 vite më të re se ai.
Prej kohësh, jeta sentimentale e Bonolis ishte bërë objekt spekulimesh. Fotot e publikuara së fundmi, ku ai shfaqej në shoqërinë e të dashurës në Londër, kishin shtuar dyshimet për një romancë mes tyre.
Për t’u dhënë fund zërave, moderatori ka zgjedhur të flasë publikisht përmes rrjeteve sociale, ku konfirmoi lidhjen dhe shprehu kënaqësinë për këtë periudhë të jetës së tij.
“Po frekuentoj një grua që më pëlqen shumë, Carolën, dhe po kaloj një kohë vërtet të këndshme me të”, shkroi Bonolis.
Në reagimin e tij, prezantuesi italian trajtoi edhe marrëdhënien me ish-bashkëshorten, Sonia Bruganelli.
Pavarësisht ndarjes, Bonolis sqaroi se mes tyre nuk ka konfliktet apo tensionet për të cilat është spekuluar. Sipas tij, ata ruajnë marrëdhënie të mira dhe vijojnë bashkëpunimin profesional, ndërsa kujdesi për fëmijët mbetet një përparësi e përbashkët.
Moderatori tregoi gjithashtu se Sonia ka nisur një lidhje të re dhe se ai ka vlerësim për partnerin e saj. Sipas Bonolis, edhe ish-bashkëshortja e tij ka simpati për Carolën.
Në fund, 65-vjeçari iu përgjigj me ironi atyre që kërkojnë histori të fshehta apo skandale në jetën e tij personale. Ai u sugjeroi të lexojnë letërsi fantastike, duke përmendur veçanërisht serinë The Dark Tower të shkrimtarit Stephen King.