Polonia është tronditur nga një ngjarje e rëndë në qytetin e Krakovit, ku një sulm me armë zjarri ka shkaktuar nëntë viktima dhe 16 të plagosur. Në shenjë zie për tragjedinë, presidenti i vendit ka shpallur dy ditë zie kombëtare, ndërsa flamujt janë ulur në gjysmështizë në të gjithë vendin.
Sipas informacioneve të bëra publike nga autoritetet, autori i dyshuar është 25-vjeçari Michal Oksiński, i cili hapi zjarr në qendër të qytetit, duke qëlluar ndaj personave të rastësishëm. Ngjarja po hetohet si një sulm i mundshëm terrorist dhe konsiderohet ndër më të rëndat që ka përjetuar Polonia në dekadat e fundit.
Fillimisht u raportua për gjashtë persona të vrarë, katër gra dhe dy burra, si dhe 16 të plagosur, mes tyre edhe dy efektivë policie. Njëri prej policëve ndodhet në gjendje kritike.
Por hetimet morën një tjetër kthesë të rëndë pas zbulimit të tre trupave të pajetë në apartamentin e 25-vjeçarit. Viktimat rezultuan të ishin babai i tij 53-vjeçar, nëna 52-vjeçare dhe motra 20-vjeçare. Të tre kishin plagë të shkaktuara nga armë zjarri, duke e çuar në nëntë numrin e përgjithshëm të viktimave.
Sipas dëshmive dhe të dhënave paraprake të policisë, i dyshuari kishte drejtuar automjetin drejt Sheshit Kryesor të Tregut në Krakov, përpara se të niste të qëllonte mbi njerëzit që ndodheshin në zonë. Forcat e rendit ndërhynë dhe qëlluan ndaj tij, duke e plagosur.
Autoritetet bëjnë me dije se 25-vjeçari kishte veshur uniformë ushtarake, por nuk rezulton të kishte lidhje me ushtrinë. Gjatë kontrollit të automjetit të tij, policia zbuloi armë të tjera zjarri dhe një sasi të konsiderueshme municionesh.
Sulmi shkaktoi panik të madh në qendër të qytetit, ku qytetarët u përpoqën të largoheshin me shpejtësi nga zona për t’i shpëtuar të shtënave. Ndërkohë, hetuesit po punojnë për të zbardhur motivet e autorit dhe rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje tragjike.