Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, ka deklaruar se vendet evropiane duhet të jenë pjesë e bisedimeve të ardhshme mes Rusisë dhe Ukrainës, të planifikuara për datat 10 dhe 11 nëntor në Abu Dhabi.
Barrot konfirmoi se Franca do të përfaqësohet në këto diskutime, por sqaroi se ai vetë nuk do të jetë pjesë e tryezës së negociatave.
“Evropianët do të përfaqësohen mirë dhe Franca do të jetë në Abu Dhabi për të marrë pjesë në këto bisedime”, deklaroi ai.
Kreu i diplomacisë franceze tha se ende nuk është vendosur se kush do ta përfaqësojë vendin, por garantoi se Franca do të jetë e pranishme.
Ministri theksoi se vendet evropiane kanë bërë përpjekje për të dëgjuar zërin e tyre në diskutimet mbi të ardhmen e Ukrainës dhe sigurinë e kontinentit.
“Në javët e fundit, evropianët kanë bërë që zëri i tyre të dëgjohet. Ata u kanë shpjeguar ndërmjetësve amerikanë se asnjë diskutim në lidhje me të ardhmen e këtij kontinenti nuk mund të injorojë pritjet dhe kërkesat tona”, u shpreh Barrot.
Deklaratat e tij vijnë pas takimit të së enjtes mes presidentit amerikan Donald Trump dhe të dërguarit rus Kirill Dmitriev. Pas këtij takimi, Trump foli për mundësinë e arritjes së një “marrëveshjeje të madhe” me Rusinë për Ukrainën, duke pretenduar se ajo mund të përfshijë të gjithë Evropën dhe të kënaqë të gjitha palët, pa dhënë detaje konkrete.
I pyetur për këtë deklaratë, Barrot tha se nuk e dinte se çfarë kishte parasysh presidenti amerikan. Ai përsëriti se asnjë marrëveshje që prek arkitekturën evropiane të sigurisë nuk mund të hartohet apo diskutohet pa përfshirjen e vendeve evropiane.
Gjatë prononcimit, ministri francez akuzoi gjithashtu liderin e së majtës, Jean-Luc Mélenchon, se po i bën jehonë propagandës së Kremlinit.
Deklarata vjen në një kohë kur po diskutohen formatet e mundshme të negociatave dhe roli që duhet të kenë aleatët evropianë të Kievit.
Deri më tani, bisedimet e planifikuara për 10 dhe 11 nëntor ishin paraqitur si negociata trepalëshe mes përfaqësuesve të Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka shprehur qartë dëshirën që në proces të përfshihen edhe aleatët evropianë të Kievit.