Një ditë e veçantë në familjen e këngëtares Çiljeta Xhilaga dhe ish-portierit Alban Hoxha. Djali i tyre, Beko, feston 12-vjetorin e lindjes, ndërsa Çiljeta ka zgjedhur ta urojë përmes një mesazhi të ndjerë, të publikuar në rrjetet sociale.
Në dedikimin e saj, këngëtarja shpreh dashurinë e pakushtëzuar për të, duke theksuar se lidhja e tyre nuk përcaktohet nga gjaku, por nga përkushtimi, kujdesi dhe ndjenjat që i bashkojnë.
“Ndoshta nuk të kam sjellë unë në jetë, por jeta më dha privilegjin të të rris, të të dua dhe të jem pjesë e çdo hapi të rrugëtimit tënd”, shkruan Çiljeta.
Ajo i uron Bekos një jetë të mbushur me lumturi, shëndet dhe të mira, duke e cilësuar atë si “biri im i zgjuar, i matur dhe kokëforti i shtëpisë sonë”.
Historia e marrëdhënies së tyre është e veçantë. Bashkëshortja e parë e Alban Hoxhës ndërroi jetë gjatë lindjes së Bekos, ndërsa më vonë Çiljeta u bë pjesë e jetës së tyre, duke marrë një rol të rëndësishëm në rritjen dhe përkujdesjen ndaj djalit.
Një urim që shkon përtej një feste ditëlindjeje, duke përcjellë një mesazh të fortë për dashurinë që nuk njeh kufij biologjikë.