Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Melania Trump, u ka dërguar letra personale presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.
Letrat u dorëzuan më 5 nëntor, gjatë një takimi të posaçëm në Shtëpinë e Bardhë, ku Melania Trump priti përfaqësues të Rusisë dhe Ukrainës, pas armëpushimit të përkohshëm në qytetin Oleshky.
Ajo ia besoi dorëzimin e letrës për Putinin të dërguarit special të Kremlinit, Kirill Dmitriev, ndërsa letrën për Zelenskyn ia dorëzoi David Arakhamia, drejtues i grupit parlamentar të partisë në pushtet në Ukrainë.
“Kam shkruar letra personale për presidentin Putin dhe presidentin Zelensky. David dhe Kirill, ju lutem, dorëzojani këto letra presidentëve tuaj në emrin tim”, deklaroi Melania Trump.
Përmbajtja e letrave nuk është bërë publike, por mesazhi i Zonjës së Parë amerikane ishte një thirrje për të shfrytëzuar bashkëpunimin e krijuar nga armëpushimi si një mundësi për të ndërtuar një paqe më të qëndrueshme.
Takimi në Shtëpinë e Bardhë pasoi armëpushimin gjashtëditor në Oleshky, i cili mundësoi dërgimin e ndihmave humanitare dhe evakuimin e afro 800 civilëve.
Gjatë këtij aktiviteti, përfaqësuesit ukrainas i dorëzuan Melania Trump edhe Urdhrin e Princeshës Olga, të klasit të parë, në vlerësim të kontributit të saj humanitar.