Babai i Dukeshës së Sussex-it, Meghan Markle, Thomas Markle Sr., raportohet se është arrestuar nga agjentët e FBI-së në Florida të Shteteve të Bashkuara, nën dyshimet për posedim të materialeve që përmbajnë abuzim seksual me fëmijë. Lajmi është bërë publik nga tabloidi britanik “Daily Mail”.
Sipas raportimeve, agjentët federalë kanë mbërritur në qendrën e kujdesit “Maravida” në Lakeland të Floridës, ku qëndron 82-vjeçari. Ndërhyrja e tyre thuhet se vjen pas zbulimit të një sasie të konsiderueshme materialesh të paligjshme në ambiente të lidhura me Markle-in në Meksikë dhe Filipine.
“Daily Mail” pretendon se arrestimi ndodhi vetëm pak ditë pasi gazeta njoftoi autoritetet federale për gjetjen e materialeve pornografike me fëmijë në një ambient magazinimi, të cilin Markle e kishte marrë me qira pranë ish-banesës së tij në Rosarito të Meksikës.
Ndërkohë, edhe autoritetet në Filipine raportohet se janë pranë ngritjes së akuzave zyrtare ndaj tij. Muajin e kaluar, në një banesë ku ai kishte jetuar më parë në këtë vend, dyshohet se janë zbuluar imazhe që dokumentonin abuzimin seksual me të mitur.
Thomas Markle, i cili ka jetuar për vite me radhë jashtë Shteteve të Bashkuara, u zhvendos në Florida gjatë pranverës së këtij viti. Ai përdor një karrocë invalidi pas amputimit të njërës këmbë, ndërsa pak para ngjarjes ishte vendosur në një qendër të specializuar kujdesi për personat me demencë, ku qëndrimi kushton rreth 3,900 dollarë në muaj.
Një burim i cituar nga “Daily Mail” ka deklaruar se Markle u ndalua për posedim të materialeve që përmbajnë abuzim seksual me fëmijë.