Nga Auron Dodi
Protestat e Brezit Z në Gjermani, të 14-29 vjeçarëve, nxitën reagime në politikë. Kërkesat mbështeten gjerësisht, edhe nga qeveria. Por dhuna në fund të protestave paqësore zhvendosi debatin,
Në tërësi, si nga qeveria, ashtu edhe nga opozita është treguar mirëkuptim për kërkesat e protestuesve të iniciuara nga iniciativa “Brezi Z rregullon” (“Gen Z regelt”). Kërkesat e protestuesve janë: më shumë para për shkollat, qira më të ulëta, kosto më të ulët jetese, mbrojtje më të madhe për klimën dhe drejtësi sociale.
Kancelari Friedrich Merz tha se demonstratat tregojnë „se të rinjtë interesohen për politikën”, dhe qeveria duhet t’i marrë seriozisht këto shqetësime – sidomos në tregun e banesave ka „nevojë për veprim politik”.
Nga opozita, një deputet 25-vjeçar i partisë E Majta, Luke Hoß, tha se dëshironte që „brezi im të mos ketë frikë nga e ardhmja”. „Por”, veçoi ai „ne lindëm në një botë, e cila ishte e dëmtuar”, e prishur.
Ministrja e Arsimit e Gjermanisë, Karin Prien, nga partia CDU e kancelarit Merz, ofroi këtë javë takim me përfaqësues të nxënësve dhe me sindikatën e arsimit GEW. Edhe ajo tha që të rinjtë kanë „shumë të drejtë” që i kërkojnë këto debate. I ftoi për dialog më të thellë, sepse siç u shpreh, “pjesa dërrmuese demonstroi paqësisht”.
Presidenti i Lidhjes së Qyteteve Gjermane, që përfaqëson interesat e rreth 3200 qyteteve dhe komunave, Burkhard Jung tha se „të rinjtë që protestojnë „duan ta bashkëformësojnë të ardhmen e tyre”.
Shumë grupe parlamentare në Bundestag, në parlamentin federal, i mbështetën gjithashtu objektivat e protestës. Por shfaqjet e dhunës, që ndodhën në fund të protestave, e tronditën opinionin. Ato nxitën edhe një debat të mërkurën (04.11) në Bundestag.
Bilanci i protestave: çfarë ndodhi
Protestat e së shtunës (31.10.) të Brezit Z u zhvilluan në 34 qytete. Në to morën pjesë rreth 120.000 vetë, sipas organizatorëve. Sipas policisë, në protesta qenë të pranishëm gjysma e kësaj shifre.
Gjatë ditës protestat ishin të qeta, paqësore, por kur erdhi nata pati shfaqje dhune: në shtatë nga 34 qytetet. Dhuna erdhi nga persona prej të cilëve organizatorët e protestave të iniciativës “Brezi Z rregullon” (Gen Z regelt) u distancuan.
Dëmet më të mëdha ndodhën në Frankfurt mbi Main, ku pati dyqane të plaçkitura, midis tyre ishte dhe një dyqan armësh. Pastaj pati vitrina të shkatërruara dhe më shumë se 100 policë të plagosur. Në të gjithë Gjermaninë me këtë rast u bënë 200 arrestime.
Policia: përgatitje prej javësh, kontroll i decentralizuar
Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Alexander Dobrindt, deklaroi se policia gjermane i pengoi shfaqjet e dhunshme, si ato që u panë në Paris. Këtë ai e tha në një intervistë për gazetën Bild dhe e përsëriti edhe në Bundestag.
Policia ishte e pranishme masivisht dhe forcat i dislokoi në formë të decentralizuar. Ajo i kishte vëzhguar grupet radikale dhe pikat potenciale të tensionit. Edhe qeveria qe përgatitur prej javësh për këto demonstrata. Ministri i Brendshëm Dobrindt drejtoi së bashku me drejtuesit e policisë federale një qendër, me të cilën ishin të koordinuara dhe landet federale gjermane. Në mesnatë në Berlin ai shkoi vetë në një vend në të cilin pati ndodhur përplasje.
Kush i kreu aktet e dhunës – dhe kush quhet migrant
Ministri i Brendshëm i Landit të Hessenit (ku ndodhet Frankfurti mbi Main), Roman Poseck nga CDU-ja, tha që shumica e të arrestuarve ishin me pasaportë gjermane. Por ai shtoi edhe që në grupin e dorasve, mbizotëronin migrantët. Edhe ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Dobrindt foli për demonstrata paqësore. Por tha se ato nga mbrëmja, u vunë nën kontroll nga grupe të majta, të gatshme për dhunë dhe nga huliganë migrantë. Kancelari Merz e mbështeti këtë përshkrim.
Debati i hapur në Gjermani e kalon aspektin penal: ai bëhet për çështjen e përmendjes së migrantëve dhe se deri kur do të cilësohet migrant një person në Gjermani.
Debati i ndezur në Bundestag
Diskutime të përqendruara u bënë në Bundestag në orën e posaçme për tema aktuale, të mërkurën. Po reagime ka patur edhe në biseda televizive.
Në Bundestag deputeti i AfD-së, Bernd Baumann, tha se Gjermania ndodhet tani „në buzë të humnerës”. Shtoi se shpërthimet e dhunës në fundjavë tregojnë se „çfarë forcash shkatërruese po mblidhen”. Pas tyre, tha Baumann-i, qëndron „e majta ekstreme politike, e cila dëshiron ta përmbysë shoqërinë tonë qytetare-oksidentale”. Dhe „kjo e majtë”, tha ai, „bashkohet me mjedise gjigante migrantësh radikalë, para së gjithash me ata myslimanë, që nuk duan të integrohen”. Baumanni tha se vetëm një parti është ende një mburojë, për të ndaluar keqësimin e situatës, dhe kjo është AfD-ja.
Ministri i Brendshëm Dobrindt (CDU) tha në reagim, se „është një pamje e shtrembëruar, ajo që po vizatoni këtu”. Policët e përgatitur më së miri „siguruan që të mos përjetojmë beteja rrugore dhe as plaçkitje masive si në Francë”. Dobrindt-i ritheksoi se policia e kishte pasur nën kontroll gjendjen.
Kundërshtimi nuk është për dhunën, por për fjalët
Nga Partia Socialdemokrate Gjermane (SPD), ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius u shpreh në televizion, që padyshim që kemi të bëjmë me kriminelë tek personat që sulmojnë dhe plagosin policët. Por ai nuk pranoi fjalët që zgjodhi ministri i Brendshëm. „Çfarë janë grupet migrante”, pyeti Pistoriusi. „A janë këta (edhe) njerëz që jetojnë në brezin e tretë në Gjermani dhe janë shtetas gjermanë? Ku do të pushojmë ne së diferencuari?”
Këtë qëndrim mbajtën në Bundestag edhe Të Gjelbrit. Deputeti i gjelbër Marcel Emmerich pyeti në Bundestag: „kur është njeriu migrant? Kur ka emigruar vetë në një vend? Kur kanë emigruar prindërit?” Sipas tij, cilësime të tilla, të pasqaruara plotësisht, më tepër shkaktojnë dëm social.
20 nëntori: prova e radhës
Debati është i kuptueshëm, kur aktualisht 31 për qind e popullsisë gjermane ka prejardhje migrante. Në qytete të mëdha përqindja është edhe më e lartë.
Protesta tjetër e madhe e Brezit Z është caktuar për në 20 nëntor. Në rast dhune do të jemi të përgatitur, tha në Bundestag ministri i Brendshëm Dobrindt./ Deutsche Welle