Regjisori i njohur italian Tinto Brass është ndarë nga jeta këtë mëngjes në Romë, në moshën 93-vjeçare. Lajmi është bërë i ditur nga bashkëshortja e tij, Caterina Varzi, dhe fëmijët Bonifacio e Beatrice. Sipas mediave italiane, ceremonia mortore do të zhvillohet në formë private.
Brass, emri i vërtetë i të cilit ishte Giovanni Brass, ndërroi jetë rreth orës 10:30, pas një periudhe të gjatë me probleme shëndetësore. Gjendja e tij ishte përkeqësuar prej kohësh, ndërsa familjarët kishin ngritur shqetësimin edhe për vështirësitë që ai përjetonte në banesën e tij në Isola Farnese, ku jetonte prej rreth 50 vitesh.
Dy rrëshqitje dherash kishin bllokuar rrugën e aksesit drejt banesës, duke e bërë të vështirë daljen nga shtëpia dhe marrjen e ndihmës mjekësore. Situata ishte komplikuar edhe nga një shkallë me 141 hapa. Familja e regjisorit kishte kërkuar ndërhyrje edhe përmes një letre drejtuar presidentit italian Sergio Mattarella.
I lindur në Milano më 26 mars 1933, Tinto Brass ishte regjisor, skenarist dhe montazhier. Karrierën e nisi me filma eksperimentalë dhe me tematikë sociale, ndërsa më vonë u bë një prej emrave më të njohur të kinemasë erotike italiane.
Famën ndërkombëtare e arriti veçanërisht me filmin “La chiave” (1983), ku interpretoi Stefania Sandrelli. Mes veprave të tij më të njohura janë gjithashtu “Miranda”, me Serena Grandi, “Capriccio”, me Francesca Dellera, “Paprika”, që i dha famë Deborah Caprioglios, si dhe “Così fan tutte”, me Claudia Koll.
Me krijimtarinë e tij, Brass sfidoi për dekada konvencionet shoqërore dhe normat tradicionale të kinemasë, duke u kthyer në një prej regjisorëve më të dallueshëm dhe më provokues të Italisë.
Largimi i tij shënon fundin e një kapitulli të veçantë në historinë e kinemasë italiane.