Tensionet nga protesta e sotme janë zhvendosur para Drejtorisë së Policisë, pasi dy aktivistë, Dritan Goxhaj dhe Edison Lika, janë shoqëruar nga efektivët gjatë protestës së zhvilluar pranë Kryeministrisë.
Pas ndërhyrjes së policisë dhe shoqërimit të dy aktivistëve, protestuesit janë larguar nga zona e Kryeministrisë dhe kanë marshuar drejt Drejtorisë së Policisë, ku janë grumbulluar para godinës në shenjë kundërshtimi ndaj veprimeve të uniformave blu.
Gjatë qëndrimit para institucionit, protestuesit kanë hedhur thirrje kundër policisë, duke brohoritur “Polici e krimit” dhe duke kërkuar llogaridhënie për shoqërimin e dy aktivistëve.
Situata vijon të jetë e tensionuar, ndërsa protestuesit qëndrojnë para Drejtorisë së Policisë, në pritje të zhvillimeve të mëtejshme.
Shoqërimi i Goxhajt dhe Likës ka shkaktuar reagim të menjëhershëm mes pjesëmarrësve në protestë, duke e zhvendosur përplasjen nga zona e Kryeministrisë drejt institucionit të policisë.