Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kërkuar që, për zgjedhjet e ardhshme vendore të vitit 2027, të cilat pritet të zhvillohen në muajin maj, të ketë votim elektronik në tre ose katër bashki të mëdha.
Në letrën e firmosur dhe dërguar nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, KQZ-ja u ka kërkuar partive politike të shprehin qëndrimin e tyre në lidhje me këtë iniciativë.
Po ashtu, në letër theksohet se KQZ-ja po vlerëson aspektet teknike, logjistike dhe administrative të shtrirjes së sistemit elektronik.
“Duke marrë në konsideratë aspektet teknike, logjistike dhe administrative, si dhe nevojën për implementim të qëndrueshëm dhe në kohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vlerëson se një shtrirje në 3 ose 4 bashki të mëdha përbën një qasje të arsyeshme dhe proporcionale”, theksohet në letër.
Letra e plotë:
Të nderuar,
Në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet vendore të vitit 2027 dhe në funksion të modernizimit të proceseve zgjedhore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vlerëson mundësinë e shtrirjes së aplikimit të votimit dhe numërimit elektronik në një numër të caktuar njësish të qeverisjes vendore.
Në këtë drejtim, duke marrë në konsideratë aspektet teknike, logjistike dhe administrative, si dhe nevojën për implementim të qëndrueshëm dhe në kohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vlerëson se një shtrirje në 3 apo 4 bashki të mëdha përbën një qasje të arsyeshme dhe proporcionale. Për këtë arsye, çdo vendimmarrje për zgjerimin e këtij procesi duhet të mbështetet në një qëndrim të qartë dhe të konsoliduar të partive politike.
Në këtë kuadër, KQZ kërkon shprehimisht që partitë politike të paraqesin qëndrimin e tyre lidhur me mundësinë e zhvillimit të votimit dhe numërimit elektronik për zgjedhjet vendore të vitit 2027, në disa bashki të mëdha, kohë përpara procesit zgjedhor.
Për sa më sipër, para se Ju të shprehni qëndrimin tuaj zyrtar, kërkojmë nga ana juaj të caktoni përfaqësuesin/t tuaj për të marrë pjesë në një takim konsultues në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ditën e premte, datë 9 tetor 2026, në orën 11:30. Lutem që të konfirmoni prezencën e përfaqësuesit/ve tuaj në këtë takim në adresën e postës elektronike: [email protected].
Duke ju falënderuar për bashkëpunimin,
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan CELIBASHI