Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se PD-ja nuk do të pranojë numërimin elektronik në asnjë bashki, duke pretenduar se procesi është manipuluar dhe se në të është përfshirë drejtpërdrejt Shërbimi Informativ Kombëtar.
Gjatë një konference për mediat nga selia e Partisë Demokratike, Sali Berisha kundërshtoi kategorikisht përdorimin e numërimit elektronik në proceset zgjedhore. Ai pretendoi se numërimi elektronik është manipuluar dhe se gjatë procesit janë krijuar servera paralelë, ndërsa janë evidentuar edhe probleme të shumta.
Më tej, kreu i PD-së akuzoi Shërbimin Informativ Kombëtar për përfshirje të drejtpërdrejtë në këtë proces, duke e cilësuar atë si “narko-shërbim informativ”.
Sali Berisha: Asnjë bashki nuk pranojmë ne numërim elektronik, në mënyrë të prerë. Partia Demokratike nuk pranon! Numërimi elektronik është manipuluar në mënyrë të turpshme.
Në numërimin elektronik është implikuar direkt dhe shërbimi informativ kombëtar, narko-shërbimi informativ tani.
Janë krijuar servera paralelë, ka patur probleme të mëdha, ne nuk pranojmë asgjë të manipulueshme më në procesin zgjedhor.
Sakaq kreu i Partisë Demokratike ka akuzuar qeverinë për zhvlerësimin e euros në raport me lekun, duke e cilësuar forcimin e monedhës vendase si një rekord negativ për ekonominë shqiptare.
Berisha iu referua të dhënave që, sipas tij, i atribuohen Eurostat-it për ecurinë e euros kundrejt 40 monedhave kryesore në botë.
“Sot, në historinë e këtij vendi, shënohet rekordi më i zi i kohërave. EUROSTAT shpall se leku shqiptar thyen rekordin botëror në raport me zhvlerësimin prej tij të euros dhe dollarit, por EUROSTAT është marrë me euron.
EUROSTAT ka studiuar raportin e euros me 40 monedhat kryesore të planetit. Çfarë gjen EUROSTAT nga studimi i 40 monedhave të planetit? Gjen se leku është monedha më e fortë në botë në raport me euron. Gjen se euro në Shqipëri është zhvlerësuar më shumë se në çdo vend tjetër 33 përqind.
Gjen se zhvlerësimi i dytë më i madh i euros është 18 përqind dhe ky është Izraeli me ekonomi 10 herë, 15 herë më e fuqishme se e Shqipërisë. Zhvlerësimi i tretë është Zvicra me ekonomi trilion.
Ka një zhvlerësim të lehtë me 6 përqind në Meksikë, tek Sinaloa. Në Serbi me dinarin, 6 përqind. Ka një zhvlerësim euro me dollarin e Singaporit 3 përqind. Kurse me dy monedha të tjera, përveçse dy që mbetet pa ndryshim euro ka fituar terren.
Për shembull unë u them këtu, me sterlinën ka fituar 1 përqind. Me dollarin e Hong Kongut ka fituar 5 përqind. Me koronën norvegjeze ka fituar 17 përqind. Norvegjia vetëm fondin sovran të investimeve e ka 2 triliard euro.
Pra, çfarë kemi këtu? Kemi transformimin përfundimtar të lekut në narkos. Dhe sot e tutje nuk do quhet më lek, por do quhet narkos. Pesë mijë narkos, kjo do jetë monedha e re e Shqipërisë”, tha Berisha.