Në tre javët e fundit, vendi është përfshirë nga protesta të dhunshme, pjesë e të cilave ishin edhe studentët. Këta të fundit ishin të parët që dolën në protestë para Ministrisë së Arsimit, e cila më pas precipitoi në përplasje fizike.
Pas incidenteve, Shoqata e Pedagogëve vendosi të hënën, më 19 tetor, bojkotimin e mësimit, duke u solidarizuar me studentët. Por duket se bojkoti i mësimit po shkon drejt fundit.
Burime ekskluzive për Alt Media bëjnë me dije se këtë të mërkurë, në ambientet e UPT-së, është zhvilluar një mbledhje mes pedagogëve dhe studentëve, ku është diskutuar se si do të vijojë protesta në ditët në vijim.
Nga kjo mbledhje mësohet se pedagogët kanë propozuar që studentët të rikthehen në auditore, ndërsa bojkoti i mësimit të jetë i pjesshëm dhe protestat të mbahen dy herë në javë.
Duket se edhe vetë studentët janë dakord me propozimin e pedagogëve dhe këtë të mërkurë janë rikthyer në auditoret e UPT-së. Ndërsa burime të Alt Media bëjnë me dije se studentët mund të rikthehen në protestë gjatë një prej ditëve zyrtare të mësimit, si dhe përgjatë fundjavës.
Në vijim pritet të shihet se si do të vijojë protesta dhe nëse do të ketë më shumë tubime të thirrura, ndërsa nuk përjashtohet as skenari që protesta studentore të shkojë drejt shuarjes.