Një grua është gjetur pa shenja jete mbrëmjen e së dielës në fshatin Vitomiricë, në Pejë. Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, dyshohet se viktima ka humbur jetën si pasojë e goditjeve me një mjet të fortë. Për rastin është shpallur në kërkim kunati i saj.
Ngjarja merr rëndësi të veçantë pasi, rreth dy orë para se të gjendej e pajetë, gruaja kishte raportuar në Policinë e Pejës një rast të dhunës në familje.
Sipas policisë, rreth orës 19:00, Stacioni Policor në Pejë u njoftua për një rast të dhunës në familje në Vitomiricë. Viktima u shoqërua në stacion, ku u intervistua, ndërsa bashkëshorti i saj, i dyshuar për dhunë në familje, u arrestua dhe u intervistua.
Ai u ndalua për 48 orë. Më pas, me vullnetin e saj, gruaja u shoqërua për në banesën e saj në Vitomiricë.
Rreth orës 21:10, policia u njoftua se e njëjta grua ishte gjetur pa shenja jete. Në vendngjarje mbërritën njësitë përkatëse policore dhe ekipi mjekësor, i cili konstatoi vdekjen.
“Bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se vdekja e saj ka ardhur si pasojë e goditjeve me një mjet të fortë. Personi i dyshuar për rastin e dytë, i cili dyshohet se është kunati i saj, ndodhet në arrati”, thuhet në njoftimin e policisë.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e vrasjes dhe për të lokalizuar të dyshuarin.