Pas disa orësh protestash dhe marshimesh nëpër universitetet e Tiranës, studentët janë zhvendosur përpara Kryeministrisë, ku vijojnë thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Protesta e sotme nisi pranë Universitetit Politeknik të Tiranës dhe vijoi drejt Fakultetit Ekonomik dhe Ministrisë së Arsimit. Përgjatë marshimit, të rinjtë kërkuan largimin e qeverisë dhe u bënë thirrje studentëve të tjerë që t’i bashkohen lëvizjes.
Me pankarta në duar dhe thirrje kundër qeverisë, protestuesit kërkuan edhe bojkotimin e procesit mësimor, si formë kundërshtimi ndaj situatës politike në vend.
Përpara Ministrisë së Arsimit, protestës iu bashkuan edhe studentë nga fakultete të tjera, përfshirë Mjekësinë dhe Fakultetin e Shkencave të Natyrës.
Në një moment, të rinjtë kënduan së bashku himnin kombëtar, përpara se të vijonin marshimin drejt Kryeministrisë, ku protesta vijon me thirrje për largimin e kryeministrit.