Presidenti amerikan Donald Trump është takuar të enjten me ekipin e tij të sigurisë kombëtare për të diskutuar mundësinë e rifillimit të operacioneve ushtarake kundër Iranit. Lajmi është konfirmuar për Fox News nga zyrtarë të lartë amerikanë.
Sipas tyre, takime të ngjashme janë zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë edhe të mërkurën. Zyrtarët përmendën gjithashtu datën 9 nëntor, kur pritet të ketë hënë të re në Lindjen e Mesme, duke theksuar se mungesa e dritës së hënës mund të krijojë kushte të favorshme për operacione ushtarake.
Më herët të enjten, duke folur me gazetarët në Zyrën Ovale, Trump deklaroi se Uashingtoni do të marrë një vendim lidhur me mundësinë e rifillimit të sulmeve.
Ai ngriti pyetjen nëse SHBA-ja duhet të ndërmarrë veprime të tjera ushtarake për të siguruar që programi bërthamor iranian të mos rikthehet.
“Do të preferoja të mos e shkatërroja pjesën tjetër të vendit, nëse është e mundur, por ndoshta do të më duhet ta bëj. Do ta merrni vesh shumë shpejt”, u shpreh presidenti amerikan.
Ndërkohë, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) po përfundon përgatitjet për një rifillim të mundshëm të operacioneve të mëdha ushtarake në Iran, por ende nuk ka marrë një urdhër të ri nga Uashingtoni. Kështu raportojnë burime amerikane të cituara nga Axios.
Çështja e mundësisë së zgjerimit të operacioneve ushtarake u diskutua edhe gjatë një telefonate mes Trumpit dhe kryeministrit irakian Ali Faleh Al-Zaidi.
Sipas zyrës së kryeministrit irakian, Al-Zaidi i kërkoi presidentit amerikan që territori i Irakut të mos përdoret si pikënisje për sulme kundër vendeve fqinje.
“Zoti Kryeministër konfirmoi qëndrimin e Irakut, duke bërë thirrje për respektimin e sovranitetit të shteteve dhe mospërdorimin e territorit të tij si pikënisje për agresion kundër vendeve fqinje”, thuhet në deklaratën e publikuar në rrjetin social X.