Dy persona kanë humbur jetën në ishullin francez të Korsikës, pasi automjeti me të cilin udhëtonin u rrëmbye nga ujërat e përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut.
Lajmi u bë i ditur të premten nga ministri i Brendshëm francez, Laurent Nunez, i cili konfirmoi se një grua 40-vjeçare arriti të shpëtohej, ndërsa dy personat e tjerë humbën jetën.
Një prej zjarrfikësve që ndërhyri në vendngjarje u transportua në spital, ku po merr trajtim për hipotermi.
Agjencia franceze e meteorologjisë, Météo-France, ka lëshuar paralajmërime për reshje të rrëmbyeshme dhe rrezik përmbytjesh në Korsikë dhe në disa zona të Francës jugore.
Sipas autoriteteve, që nga nisja e stuhisë, të mërkurën pasdite, në disa zona janë regjistruar deri në 350 milimetra reshje shiu.
Autoritetet vijojnë të monitorojnë situatën, ndërsa reshjet e dendura kanë shkaktuar probleme dhe kanë rritur rrezikun për përmbytje në zonat e prekura.