Shkencëtarja Marta Shahbazi, e cila punonte në Universitetin e Kembrixhit, është mes viktimave të aksidentit të rëndë hekurudhor në Spanjë, ku raportohet se kanë humbur jetën të paktën 69 persona.
Vdekja e saj është konfirmuar nga Instituti i Biologjisë Molekulare MRC, ku ajo drejtonte një grup kërkimor. Shahbazi ndodhej në njërin prej trenave të përfshirë në përplasjen tragjike pranë Urda-s, në jug të Madridit.
Institucioni kishte bërë të ditur më herët se studiuesja ishte në trenin e përfshirë në aksident, por për një periudhë kohe familjarët dhe kolegët nuk kishin informacion për fatin e saj. Konfirmimi i vdekjes solli dhimbje të thellë te komuniteti shkencor.
Edhe instituti spanjoll CiMUS reagoi përmes një mesazhi ngushëllimi, duke e cilësuar Shahbazin si një “studiuese të re brilante” dhe duke shprehur mbështetjen për familjen e saj në këtë moment të vështirë. Shkencëtarja ishte mbesa e María José Alonso, e cila është e lidhur profesionalisht me këtë institucion.
Marta Shahbazi ishte një emër i njohur në fushën e biologjisë qelizore. Ajo drejtonte laboratorin kërkimor që mbante emrin e saj në Kampusin Biomjekësor të Universitetit të Kembrixhit dhe mbante gjithashtu postin e profesoreshës së asociuar në Institutin e Qelizave Staminale të universitetit.
Humbja e saj përbën një goditje të rëndë për kolegët dhe komunitetin akademik, ndërsa tragjedia hekurudhore në Spanjë ka lënë pas dhimbje dhe pikëllim për familjet e dhjetëra viktimave.