Autoritetet në Holandë kanë vendosur një shpërblim rekord prej 2 milionë eurosh për çdo person që jep informacione të vlefshme që mund të çojnë në arrestimin e Jos Leijdekkers, një prej trafikantëve më të kërkuar të drogës në Europë.
35-vjeçari, i njohur me nofkën “Bolle Jos” (Josi i shëndoshë), konsiderohet nga policia holandeze si një nga emrat kryesorë të rrjeteve ndërkombëtare të trafikimit të kokainës.
Shuma e shpërblimit është rritur dhjetëfish, ndërsa ministri holandez i Drejtësisë, David van Weel, e ka argumentuar këtë vendim me rrezikshmërinë që Leijdekkers paraqet për sigurinë kombëtare dhe rendin juridik.
Ndërkohë, prokuroria holandeze e ka cilësuar kapjen e tij si një nga prioritetet më të rëndësishme. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që disponojnë informacione të bashkëpunojnë, duke garantuar se identiteti i personave që japin të dhëna do të ruhet në mënyrë konfidenciale.