Me tensione është shoqëruar protesta e banorëve të Memaliajt para Kuvendit këtë të premte, ku në Komisionin e Ligjeve po diskutohet Reforma Territoriale.
Teksa ishte duke u futur në Kuvend, protestuesit kanë lëshuar akuza ndaj deputetit socialist Erion Braçe, i cili më pas është kthyer drejt tyre.
Ndërsa protestuesit kanë hedhur ujë ndaj tij, gjë që ka irrituar edhe më shumë Braçen, ky i fundit është përplasur fizikisht me protestuesit. Ndërsa njëri prej tyre ka tentuar ta godasë me tabelë ligjvënësin socialist.
Është dashur ndërhyrja e deputetit demokrat Tritan Shehu, i cili ka qetësuar situatën. Ndërsa edhe aktivistja Luçiana Koka ka ndërhyrë për qetësimin e situatës së krijuar.
Kujtojmë që Banorët e Memaliajt po protestojnë para Kuvendit kundër shkrirjes së bashkisë së tyre me Tepelenën, teksa në Komisionin e Ligjeve po diskutohen ndryshimet në Reformën Territoriale.