Tirana do të mirëpresë këtë të diel edicionin e 10-të të Maratonës së Tiranës, ku pritet të marrin pjesë rreth 5,800 garues. Për shkak të zhvillimit të aktivitetit sportiv, disa prej akseve kryesore të kryeqytetit do të bllokohen për automjetet, ndërsa trafiku dhe transporti publik do të funksionojnë sipas një plani të posaçëm.
Sipas planit të masave të hartuar nga Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, nga ora 08:00 deri në orën 16:00 do të ndalohet qarkullimi në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Bulevardin “Zogu i Parë”, Bulevardin e Ri, si dhe në disa rrugë të tjera, mes tyre Rruga e Durrësit, Rruga e Kavajës dhe “Myslym Shyri”.
Për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve dhe për të menaxhuar trafikun, janë parashikuar edhe drejtime të detyruara në disa kryqëzime. Kufizimet do të prekin zonat pranë Rrugës së Elbasanit, bulevardit “Zhan D’Ark”, Rrugës së Dibrës, “Hoxha Tahsim”, Bulevardit “Zogu I” dhe kryqëzimit të “21 Dhjetorit”.
Ndryshime do të ketë edhe në transportin publik. Gjatë ditës së diel do të pezullohen përkohësisht disa linja urbane, përfshirë ato që lidhin Selitën me Alliasin, linjën e Porcelanit dhe atë të Qytetit Studenti.
Ndërkohë, linja të tjera do të devijojnë itinerarin e tyre për shkak të bllokimeve, mes tyre linjat e Saukut të Vjetër, Kasharit, Kombinatit dhe Kinostudios.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të marrin në konsideratë kufizimet dhe të planifikojnë lëvizjet e tyre duke shmangur akset ku do të zhvillohet maratona.