Teksa PS-ja në seancën e së enjtes do të votojë projektligjin për Reformën Territoriale, duket se mes socialistëve ka zëra kundër propozimit që ul numrin e bashkive nga 61 në 45 të tilla.
Raportohet se, në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, dy deputetët Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj kanë shfaqur rezerva dhe kanë dalë kundër propozimit për reformën e re territoriale me 46 bashki.
Mësohet se, në përfundim të mbledhjes, Braçe dhe Sinaj kanë votuar kundër propozimit të PS-së për Reformën Territoriale. Ndërsa deputeti Sinaj, më herët, ka kundërshtuar publikisht Reformën Territoriale dhe shkrirjen e bashkisë së Selenicës.
“Më bën të shkoj drejt votës kundër”, raportohet të ketë thënë Braçe gjatë mbledhjes, dhe më pas ka votuar kundër.
Dalja kundër e Braçes dhe Sinajt vë në pikëpyetje kalimin në Kuvend të kësaj reforme shumë të debatuar, pasi Partia Socialiste ka 82 mandate në Kuvend, ndërsa në votimet e fundit ka marrë edhe mbështetjen e votave nga tre ligjvënësit e PSD-së në Kuvend.
Por dalja kundër e dy deputetëve socialistë bën që mazhoranca të mos arrijë 84 votat pro, të cilat janë të nevojshme për kalimin e kësaj reforme.