Shqipëria renditet mes vendeve kandidate që kanë shënuar përparim në procesin e integrimit evropian. Ky është vlerësimi i publikuar nga Euronews, në një analizë mbi ecurinë e zgjerimit të Bashkimit Evropian, në prag të publikimit të raporteve vjetore të Komisionit Evropian.
Komisioni Evropian pritet të publikojë nesër raportet e progresit për vendet kandidate, si dhe të prezantojë udhërrëfyesit për katër vendet që konsiderohen ndër më të avancuarat në procesin e integrimit: Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën.
Sipas analizës së Euronews, Mali i Zi është më pranë përfundimit të negociatave, por përparimi i tij po përballet me vështirësi për shkak të çështjeve dypalëshe me Kroacinë, të lidhura me trashëgiminë e konflikteve të luftërave jugosllave të viteve 1990.
Sa i përket Shqipërisë, artikulli e përfshin vendin mes kandidatëve kryesorë për anëtarësim, por vëren se procesi është shoqëruar edhe me zhvillime të brendshme, përfshirë protestat e fundit kundër përgatitjeve për ndërtimin e një resorti luksoz në një zonë të mbrojtur, projekt i lidhur me Jared Kushnerin, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.
Ndërkohë, në Bruksel po zhvillohet Samiti i Zgjerimit 2026 i Euronews, ku pritet të marrin pjesë udhëheqës dhe përfaqësues nga Ukraina, Shqipëria, Moldavia, Gjeorgjia, Maqedonia e Veriut, Armenia, Mali i Zi, Kroacia dhe Këshilli Evropian.
Takimi zhvillohet në një moment të rëndësishëm për politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Në fokus janë hapat që vendet kandidate duhet të ndërmarrin për të përparuar në negociatat e anëtarësimit, si dhe mundësia e një procesi gradual integrimi.
Udhërrëfyesit e Komisionit Evropian pritet të përcaktojnë objektivat dhe afatet që katër vendet kandidate duhet të përmbushin gjatë vitit të ardhshëm.