Presidenti amerikan Donald Trump ka vënë në pikëpyetje vlefshmërinë e zgjedhjeve të mesit të mandatit (Midterm) të mbajtura në SHBA, duke ngritur pretendime për manipulim të mundshëm të rezultateve përmes makinave elektronike të votimit.
Në një reagim të publikuar në platformën Truth Social këtë të hënë, Trump ka vënë në dyshim korrektësinë e procesit zgjedhor, duke pretenduar se rezultatet e votimit të hershëm ishin të tilla që e bënin të pamundur fitoren e kandidatëve republikanë.

“A beson vërtet dikush se këto ‘zgjedhje’ ishin të ndershme? Si ka mundësi që sondazhet të ishin kaq të gabuara? Disa nga rezultatet e votimit të hershëm ishin aq të larta, saqë ishte e pamundur të fitohej, pavarësisht se sa njerëz shkuan për të votuar”, shkroi Trump.
Më tej, presidenti amerikan drejtoi kritikat ndaj sistemeve elektronike të votimit, duke deklaruar: “Gjithçka varet nga makinat, të cilat janë shumë më të rëndësishme se votuesit!”.
Deri tani, dyshimet dhe ankesat që kanë qarkulluar për zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA, të 3 nëntorit 2026, lidhen kryesisht me identifikimin e votuesve, makinat elektronike, votimin e hershëm dhe administrimin e listave zgjedhore.
Kështu në Teksas një gabim në sistemin elektronik bëri që aplikimet për regjistrim dhe përditësimin e të dhënave të votuesve të mos përcilleshin te autoritetet zgjedhore lokale. Rreth 500 mijë regjistrime mbetën në pritje.
Ndwrsa në Westchester County, një gabim në programimin e makinave të skanimit bëri që pajisjet të mos pranonin fletëvotimet në hapjen e qendrave të votimit.
Në Milwaukee, Wisconsin, dhe në Leavenworth County, Kansas, u raportuan ndërprerje dhe vështirësi të lidhura me gabime administrative.