Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen konfirmoi sot se Bashkimi Evropian do të jetë i pranishëm në bisedimet për Ukrainën, të cilat pritet të zhvillohen këtë javë në Abu Dhabi. Njoftim i saj erdhi pas një bisede telefonike me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, ku presidentja e KE bëri të ditur se gjatë bisedës diskutoi përpjekjet diplomatike për arritjen e paqes dhe takimet e planifikuara në Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Diskutuam për përpjekjet e vazhdueshme për paqe dhe bisedimet që do të zhvillohen këtë javë në Abu Dhabi, ku BE-ja do të jetë e pranishme së bashku me partnerët tanë. Pres me padurim takimin me presidentin Zelensky në Dublin, më vonë gjatë kësaj jave, si dhe diskutimet me liderët e tjerë për hapat e mëtejshëm drejt paqes”, deklaroi Von der Leyen.
Gjatë konferencës së sotme për shtyp, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Paola Pinho, theksoi se BE-ja synon të paraqitet me një qëndrim të përbashkët në këto bisedime dhe të mbrojë interesat e saj, pasi zhvillimet në Ukrainë lidhen drejtpërdrejt me sigurinë evropiane.
Ajo bëri të ditur se një nga qëndrimet që BE-ja do të përcjellë në Abu Dhabi është se diskutimet për arkitekturën e sigurisë evropiane duhet të zhvillohen pas përfundimit të luftës.