Milani po mendon një lëvizje të madhe në merkaton e janarit, duke vënë në shënjestër sulmuesin brazilian Endrick, i cili është pjesë e Real Madridit. Sipas raportimeve të mediave, kuqezinjtë janë të gatshëm të ofrojnë deri në 70 milionë euro për të siguruar shërbimet e talentit 19-vjeçar.
Propozimi i përfolur përfshin 60 milionë euro të garantuara dhe 10 milionë euro të tjera në formën e bonuseve, të lidhura me objektivat sportive. Në marrëveshje parashikohet gjithashtu një klauzolë që do t’i jepte Real Madridit mundësinë për ta rikthyer futbollistin në të ardhmen kundrejt 80 milionë eurove.
Endrick nuk ka arritur ende të fitojë një rol të qëndrueshëm në skuadrën madrilene, pavarësisht pritshmërive të mëdha që shoqëruan transferimin e tij. Kjo situatë ka shtuar interesimin nga klube të tjera europiane, me Milanin që e konsideron brazilianin një investim të rëndësishëm për të ardhmen.
Në garë për sulmuesin është përmendur edhe Roma, ndërsa marrëdhëniet e mira mes drejtuesve të Milanit dhe agjencisë Roc Nation Sports, që përfaqëson lojtarin, mund të luajnë një rol në negociata.
Megjithatë, një pengesë e rëndësishme mbetet José Mourinho. Sipas raportimeve të “Corriere dello Sport”, trajneri portugez nuk dëshiron të heqë dorë nga Endrick, pasi beson se braziliani do të ketë më shumë hapësira aktivizimi dhe është pjesë e rëndësishme e projektit të tij.