Pas përfundimit të këtij edicioni të Ligës së Kombeve, Shqipëria dhe kombëtaret e tjera europiane përgatiten për shortin e kualifikueseve të Euro 2028. Turneu final do të zhvillohet në Angli, Skoci, Uells dhe Irlandë, ndërsa përfaqësuesja shqiptare do të jetë në vazon e tretë të shortit.
Shorti do të hidhet më 6 dhjetor, në International Convention Centre të Belfastit, në Irlandën e Veriut. Edhe pse vendi hoqi dorë nga organizimi i ndeshjeve të Evropianit, do të mirëpresë ceremoninë e shortit.
Goglat do të përcaktojnë përbërjen e 12 grupeve kualifikuese: gjashtë grupe me nga katër skuadra dhe gjashtë të tjera me nga pesë skuadra.
Kombëtaret do të ndahen në pesë vazo, ku katër të parat do të kenë nga 12 ekipe, ndërsa e pesta do të përmbajë gjashtë skuadra. Ndarja do të bëhet në bazë të renditjes së Ligës së Kombeve për sezonin 2026/27.
Shqipëria ndodhet në vazon e tretë, së bashku me përfaqësuese si Ukraina, Polonia, Rumania, Izraeli, Gjeorgjia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Sllovakia. Kuqezinjtë do të mësojnë kundërshtarët nga vazot e para, të dytë dhe të katërt, si dhe nga vazoja e pestë në rast se shorti i vendos në një grup me pesë skuadra.
Në fazën finale të Evropianit do të kualifikohen drejtpërdrejt 12 fituesit e grupeve dhe tetë skuadrat e renditura në vendin e dytë me rezultatet më të mira.
Katër vendet e tjera do të përcaktohen përmes ndeshjeve të play-off-it, të planifikuara për marsin e vitit 2028. Në këtë proces do të merren parasysh edhe dy vendet e rezervuara për kombëtaret pritëse me renditjen më të mirë, në rast se ato nuk sigurojnë kualifikimin e drejtpërdrejtë.
Ndeshjet kualifikuese do të zhvillohen nga marsi deri në nëntor të vitit 2027, ndërsa faza finale e Euro 2028 do të luhet nga 9 qershori deri më 9 korrik të vitit 2028.