Talenti shqiptar vazhdon të shkëlqejë në arenën ndërkombëtare të shkencës. Loris Qose, vetëm 15 vjeç, ka arritur një tjetër sukses të rëndësishëm akademik, duke fituar medaljen e artë në Panairin Shkencor të Inxhinierisë dhe Shkencave (ASEF 2026).
Nxënësi i shkollës “7 Marsi” në Cërrik është vlerësuar me çmimin Gold Award në kategorinë Histori–Gjeografi, falë projektit të tij kërkimor me titull “Harmonia e Kozmosit: Arkitektura Hapësinore dhe Mekanika Orbitale e Sistemit tonë Diellor”.
Ky është një tjetër rezultat i jashtëzakonshëm në rrugëtimin e 15-vjeçarit, i cili tashmë numëron plot 12 medalje në koleksionin e tij.
Vetë Loris e ka ndarë lajmin përmes një mesazhi në rrjetet sociale, ku është shprehur i emocionuar për vlerësimin, duke theksuar se kjo ishte pjesëmarrja e tij e parë në ASEF dhe një prej përvojave të para në kërkimin shkencor.
Në realizimin e projektit ai është mbështetur nga MSc. Denada Canaj, e cila ka mbikëqyrur punën kërkimore, si dhe nga profesoreshat Mimoza Hafizi dhe Elisabeta Peti, pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Një rol të veçantë në formimin e tij ka pasur edhe mësuesja e matematikës, Flutura Hoxholli, e cila e ka mbështetur që në hapat e parë të pjesëmarrjes në olimpiada.
Ky sukses i ri vjen pas rezultateve të tjera të shkëlqyera të Lorisit në garat ndërkombëtare. Më herët, në Orlando të SHBA-së, ai u shpall fitues i vendit të parë në Matematikë dhe vendit të tretë në Kimi në olimpiadën “Neo Science Olympiad”.
Me 12 medalje të fituara dhe një pasion të jashtëzakonshëm për dijen, 15-vjeçari nga Cërriku po kthehet në një shembull frymëzues për të rinjtë shqiptarë dhe një emër premtues për të ardhmen e shkencës.