Parlamenti i ri i Izraelit u betua këtë të martë, në një klimë të tensionuar politike, ndërsa vendi përballet me pasiguri për formimin e qeverisë së ardhshme. Zgjedhjet e fundit i kanë hequr kryeministrit në largim, Benjamin Netanyahu, shumicën parlamentare, por as opozitës nuk i kanë siguruar një rrugë të qartë drejt pushtetit.
Në hapje të seancës së parë të parlamentit të ri, presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, u bëri thirrje forcave të ndryshme politike të lënë mënjanë përplasjet dhe të arrijnë kompromise për krijimin e një qeverie të re.
“Shtrijini dorën njëri-tjetrit për kompromis, edhe kundërshtarëve tuaj. Shikojeni njëri-tjetrin me zemërgjerësi. Ka shumë punë për të bërë dhe kjo kërkon aftësitë dhe përvojën e të gjitha palëve në këtë parlament”, deklaroi Herzog.
Pas tre goditjeve të çekanit, nisi ceremonia e betimit të 26-të të Knessetit, ku 120 deputetët morën zyrtarisht detyrën.
Duke drejtuar ceremoninë, presidenti Herzog paralajmëroi deputetët për nevojën e shmangies së një tjetër procesi zgjedhor.
“Duhet të bëni gjithçka që është e mundur për të shmangur përsëritjen e zgjedhjeve”, u shpreh ai.
Tensionet politike u shfaqën edhe gjatë ceremonisë së betimit. Ministri në largim i ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir, shpërtheu me fyerje ndaj deputetit dhe kreut të formacionit kryesor politik arab, Lista e Bashkuar, Yousef Jabareen, duke e akuzuar se mbështet Hamasin.
Ndërkohë, pak para nisjes së seancës parlamentare, Gadi Eisenkot deklaroi se synon të formojë qeverinë e re të Izraelit “sa më shpejt të jetë e mundur”, duke marrë drejtimin e vendit pas qeverisë së kundërshtarit të tij politik, Benjamin Netanyahu.
“Angazhohem të formoj një qeveri të unitetit kombëtar sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi Eisenkot, gjeneral në pension i ushtrisë izraelite, me rastin e mbërritjes së tij në Knesset.