Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka cilësuar si “konstruktive dhe me përmbajtje konkrete” bisedimet trepalëshe mes Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, të zhvilluara në Abu Dhabi me ndërmjetësimin amerikan.
Pas diskutimeve, kreu i shtetit ukrainas bëri të ditur se në tryezë janë trajtuar çështje humanitare, përfshirë lirimin dhe shkëmbimin e të burgosurve, si dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën.
Një tjetër temë e rëndësishme ishte përcaktimi i masave për uljen e tensioneve dhe shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit.
Zelensky theksoi se prioriteti i Kievit mbetet afrimi i paqes dhe arritja e rezultateve konkrete për t’i dhënë fund luftës.
Bisedimet në Abu Dhabi zhvillohen në një moment të rëndësishëm të përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit, ndërsa çështjet territoriale dhe garancitë e sigurisë vijojnë të përbëjnë pengesat kryesore për një marrëveshje.