Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë një propozim për rishikimin e kufijve administrativë të Ukrainës, me synimin për të lehtësuar arritjen e një marrëveshjeje paqeje me Rusinë. Revista The Economist raportoi se negociatorët amerikanë kanë hedhur si ide ndryshimin e kufijve administrativë të Donetskut dhe Luhanskut që t’u bashkohen rajoneve fqinje, si Kharkivi dhe Dnipropetrovski.
Në këtë mënyrë, Moska do të mund të pretendonte se kontrollon 100% të territorit administrativ të Donetskut dhe Luhanskut, edhe pse Ukraina do të ruante kontrollin mbi qytetet e fortifikuara që ende mban, përfshirë Slovianskun dhe Kramatorskun.
Propozimi synon të gjejë një kompromis për një nga çështjet më të vështira të negociatave. Rusia kërkon tërheqjen e trupave ukrainase nga i gjithë Donbasi, ndërsa Kievi refuzon të dorëzojë territoret që vazhdon të kontrollojë.
Megjithatë, ideja mbetet në fazën eksploruese dhe nuk përbën një marrëveshje të arritur. Palët kanë ende mosmarrëveshje të konsiderueshme për kontrollin e territoreve, kufizimet ushtarake që mund t’i vendosen Ukrainës dhe garancitë afatgjata të sigurisë.
Diskutimet zhvillohen në një kohë kur negociatorët amerikanë, ukrainas dhe rusë po takohen në Abu Dhabi, në përpjekje për të gjetur një rrugë drejt përfundimit të luftës.