Autoritetet italiane kanë goditur një organizatë të dyshuar kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës, e përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë. Operacioni, i koduar “Caveau 38”, është mbështetur nga Europol dhe Eurojust, ndërsa në hetime kanë marrë pjesë edhe SPAK dhe Policia e Shtetit.
Hetimet, të nisura nga Guardia di Finanza në Lecco, zbuluan një rrjet që dyshohet se shpërndante sasi të mëdha lëndësh narkotike në disa shtete, përfshirë Shqipërinë, Holandën, Gjermaninë dhe Italinë.
Sipas mediave italiane, hetimi nisi pas kontrolleve ndaj një grupi që shpërndante drogë në parqet publike të Cernusco Lombardone dhe Merate. Më pas, hetuesit zbuluan një strukturë më të gjerë, të dyshuar për organizimin e trafikut ndërkombëtar.
52 persona nën hetim, sekuestrohen drogë, para dhe ar
Në kuadër të operacionit janë vënë nën hetim 52 persona, ndërsa gjashtë janë arrestuar në flagrancë. Gjatë kontrolleve janë sekuestruar rreth 32 kilogramë lëndë narkotike, përfshirë kokainë, heroinë dhe marihuanë, si dhe 1.5 milionë euro para të gatshme.
Autoritetet kanë zbuluar gjithashtu tetë kilogramë lingota ari të shkrirë, të gjetura në ambientet e dy kompanive të përpunimit të metaleve të çmuara në Milano dhe Alessandria.
Dyshohet se janë trafikuar 250 kilogramë kokainë
Sipas hetimeve, organizata kishte ndërtuar një mekanizëm të gjerë për transportimin e drogës drejt Italisë dhe kthimin e fitimeve në Shqipëri.
Gjatë periudhës 2019–2022, në Italinë e Veriut dyshohet se janë transportuar të paktën 250 kilogramë kokainë, ndërsa në drejtim të kundërt janë transferuar rreth 14 milionë euro, të dyshuara si të ardhura nga aktiviteti kriminal.
Një nga bazat kryesore të organizatës dyshohet se ishte një banesë në Burago Molgora, ku ruheshin paratë përpara se të transportoheshin fizikisht drejt Shqipërisë. Nga adresa e kësaj banese, në numrin 38 të rrugës, ka marrë emrin edhe operacioni “Caveau 38”.
Hetimet me përgjime dhe gjurmim të komunikimeve
Për të zbuluar mënyrën e funksionimit të grupit, hetuesit përdorën përgjime, vëzhgime, pajisje gjurmuese dhe analiza të komunikimeve mes personave të dyshuar.
Sipas autoriteteve, droga dhe paratë transportoheshin të fshehura në ndarje të posaçme të automjeteve dhe kamionëve.
Hetimi u drejtua nga Guardia di Finanza në Lecco, nën koordinimin e Prokurorisë Antimafia të Milanos, me mbështetjen e strukturave të specializuara italiane dhe të hetuesve të SPAK-ut në Tiranë.
Sipas njoftimit, SPAK është pjesë e dy ekipeve të përbashkëta hetimore pranë Eurojust: njërit me Gjermaninë dhe Poloninë dhe tjetrit me Kosovën.