Kompania amerikane Tesla planifikon të ndalojë gradualisht prodhimin e pikapit elektrik Cybertruck nga mesi i vitit 2027, për t’i liruar hapësirë në fabrikën e saj në Teksas prodhimit të automjeteve autonome Cybercab.
Vendimi është bërë i ditur nga drejtuesi i kompanisë, Elon Musk, i cili ka shpjeguar se riorganizimi i kapaciteteve prodhuese synon t’i japë përparësi zhvillimit të projektit të robotaksive.
Një nga faktorët që ka ndikuar në këtë vendim duket të jetë edhe performanca e dobët tregtare e Cybertruck. Gjatë vitit 2025, modeli regjistroi rreth 20 mijë shitje në Shtetet e Bashkuara, afro 48% më pak krahasuar me një vit më parë.
Përveç kërkesës më të ulët nga sa pritej, pikapi elektrik është përballur edhe me kritika për aspekte teknike dhe strukturore.
Megjithatë, Musk ka konfirmuar se automjetet Cybertruck që janë tashmë në qarkullim do të vijojnë të marrin shërbimin dhe mbështetjen teknike nga kompania.