Kryeministri Edi Rama e cilësoi progresraportin e fundit të Komisionit Europian si më të mirin që Shqipëria ka marrë ndonjëherë, duke deklaruar se vendi ka hyrë në fazën përmbyllëse të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Në një konferencë të përbashkët me ambasadoren e BE-së në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, Rama tha se raporti shënon një ndryshim në mënyrën se si vlerësohet procesi i integrimit, duke theksuar se përgjegjësia për hapat e ardhshëm është tashmë në duart e Shqipërisë.
Kryeministri rikujtoi se për vite me radhë debati për integrimin europian ishte përqendruar te pritshmëritë për marrjen e statusit të kandidatit, hapjen e negociatave dhe miratimin e piketave të ndërmjetme.
Ai theksoi se ky proces kërkon përmbushjen e një sërë detyrash dhe standardesh, duke e krahasuar fazën përmbyllëse me një rrugë ku mbeten ende shumë hapa për t’u përshkuar.
Duke iu referuar përmbajtjes së raportit, Rama tha se niveli i gatishmërisë së Shqipërisë është rritur dukshëm në të paktën 20 kapituj negociatash, krahasuar me një vit më parë. Ai përmendi si fusha ku është evidentuar përparim ekonominë, transformimin digjital, energjinë, arsimin dhe përafrimin e legjislacionit me standardet e Bashkimit Europian.
Rama: Raporti më i mirë i progresit që Shqipëria ka marrë në dorë ndonjëherë, çka tregon edhe këmbën tuaj të mbarë në misionin e përfaqësimit të BE-së në Shqipëri. Për një kohë të gjatë, rrëfimi i rrugëtimit europian të Shqipërisë është përcaktuar nga çfarë ne prisnim të ndodhte. Statusi i kandidatit: po, jo, kur? Hapja e negociatave: po, jo, kur? Miratimi i piketave të ndërmjetme: po, jo, kur?
Sot, ky raport i publikuar dje nga KE përcakton një rrëfim të ri. Jo më mbi atë që ne presim të ndodhë, por mbi hapat që duhet të hedhim për ta kryer këtë rrugëtim. E thënë ndryshe, fati europian i Shqipërisë është sot i gjithi në duart tona. Ky është lajmi kryesor i raportit. Shqipëria futet në kilometrin e fundit të negociatave për anëtarësim në BE. Ky kilometër i fundit ka një mijë metra të tjerë për të përshkuar dhe në çdo metër ka njëqind centimetra për të kapërcyer.
Raporti tregon se, krahasuar me një vit më parë, niveli i gatishmërisë së Shqipërisë është rritur dukshëm në të paktën 20 kapituj negociatash. Evidenton përparim nga ekonomia, transformimi digjital, energjia, arsimi dhe përafrimi i legjislacionit me standardet e BE-së.