Një automjet u përfshi nga flakët pas një shpërthimi të dyshuar me lëndë plasëse në një nga gomat e tij të para, në orët e para të mëngjesit në Elbasan.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 02:00, në lagjen “28 Nëntori”, ndërsa si pasojë e flakëve është dëmtuar edhe një automjet tjetër tip “Benz”, i parkuar pranë tij.
“Elbasan/Informacion paraprak. Rreth orës 02:00 të datës 05.11.2026, në lagjen “28 Nëntori”, dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde plasëse në njërën prej gomave të para të automjetit tip “Volkswagen”, në pronësi të shtetases A. D., i cili si pasojë është përfshirë nga flakët.
Nga përhapja e flakëve është dëmtuar dhe një automjet tip “Benz”, i parkuar në afërsi të automjetit të shtetases A. D..
Grupi hetimor vijon veprimet për sqarimin e rrethanave të rastit, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve”, shkruan policia.