Kanë përfunduar analizat toksikologjike lidhur me vdekjen e këngëtarit të njohur grek Giorgos Mazonakis, ndërsa rezultatet pritet t’u dorëzohen autoriteteve ligjore në Athinë deri të premten, më 6 nëntor.
Sipas raportimit të medias greke Newsbomb, ekzaminimet janë kryer në laboratorin mjekoligjor dhe toksikologjik të Universitetit Aristoteli të Selanikut. Nga analizat e kryera në gjakun e artistit janë identifikuar tri substanca me veprim të fuqishëm: propofol, një anestetik që përdoret në procedurat mjekësore; midazolam, një medikament qetësues; si dhe flumazenil, i cili përdoret për të neutralizuar efektet e midazolamit.
Përveç këtyre, në mostrat e analizuara janë konstatuar edhe gjurmë të substancave që lidhen me medikamente të marra me recetë, përfshirë përbërës të grupit të benzodiazepinave.
Raporti përfundimtar do të përmbajë edhe të dhënat mbi përqendrimin e këtyre substancave në gjak, elemente që pritet t’u shërbejnë ekspertëve mjekoligjorë për të hedhur më shumë dritë mbi shkakun e vdekjes së këngëtarit.
Në pritje të rezultateve histopatologjike
Paralelisht me analizat toksikologjike, ekspertët po presin edhe përfundimin e ekzaminimeve histopatologjike. Të dyja këto procese konsiderohen të rëndësishme për të përcaktuar mekanizmin që çoi në vdekjen e artistit grek.
Gjatë autopsisë së zhvilluar më 11 shtator, nga mjekët ligjorë Nikolas Kalogrias dhe Konstantinos Kouvaris, në prani të përfaqësuesve të familjes dhe palëve të përfshira, shkaku i vdekjes ishte klasifikuar si “i papërcaktuar”.
Për këtë arsye, rezultatet e reja konsiderohen një element kyç në hetim. Megjithatë, identifikimi i këtyre substancave nuk përcakton vetvetiu shkakun e vdekjes. Përfundimet përfundimtare pritet të dalin vetëm pas shqyrtimit të të gjitha rezultateve laboratorike dhe mjekoligjore.