Modelja shqiptare Angela Martini ka bërë publike ndarjen nga bashkëshorti i saj, biznesmeni rumun Dragos Savulescu, duke i dhënë fund një historie dashurie që ka qenë për një kohë të gjatë në vëmendjen e publikut.
Lajmin e ka konfirmuar vetë modelja përmes një postimi në Instagram, ku ka ndarë një mesazh lidhur me përfundimin e marrëdhënies së tyre. Në deklaratën e saj, Angela ka theksuar se, pavarësisht ndarjes, djali i tyre do të mbetet gjithmonë përparësia më e rëndësishme për të dy.
“Pas një kapitulli shumë domethënës së bashku, marrëdhënia jonë ka marrë fund. Djali ynë mbetet dhurata më e madhe e kohës sonë së bashku dhe lumturia e mirëqenia e tij do të jenë gjithmonë në vend të parë”, ka shkruar Martini.
Në fund të mesazhit, modelja i ka uruar ish-bashkëshortit gjithë të mirat, ndërsa ka kërkuar mirëkuptim dhe respekt për privatësinë e familjes në këtë periudhë.
“I uroj Dragosit gjithë lumturinë. Ju falënderoj për mirësinë dhe për respektimin e privatësisë sonë”, ka përfunduar ajo.
Deklarata e Angelës konfirmon kështu publikisht ndarjen nga biznesmeni rumun, ndërsa mbetet për t’u parë nëse dyshja do të japë më shumë detaje rreth këtij vendimi.