Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se nëse demokratët fitojnë kontrollin e Kongresit në zgjedhjet e mesmandatit, një pjesë e madhe e arritjeve të administratës së tij mund të zhbëhen.
Trump i bëri komentet gjatë një interviste telefonike me gazetarin Sean Hannity, duke iu referuar disa prej politikave që ka mbështetur, mes tyre eliminimit të taksave mbi bakshishet, përfitimet e Sigurimeve Shoqërore dhe pagesat për orët shtesë.
“Kaq shumë gjëra kemi bërë, të gjitha do të fshihen”, paralajmëroi presidenti.
Trump u bën thirrje republikanëve të rrisin pjesëmarrjen në votime
Gjatë intervistës, Trump u bëri thirrje mbështetësve të tij të mobilizohen për zgjedhjet, duke kërkuar që ta konsiderojnë sikur emri i tij të ishte në fletën e votimit.
“Kur jam në fletën e votimit, kam fituar çdo herë dhe kemi marrë 50% më shumë vota sesa kur nuk jam në fletën e votimit. Kështu që po u kërkoj të gjithëve të bëjnë sikur jam në fletën e votimit Nëse njerëzit tanë votojnë, ne fitojmë me një shumicë dërrmuese”, tha presidenti.
Shtëpia e Bardhë prezanton arritjet e administratës
Komentet e Trump erdhën disa orë pasi Shtëpia e Bardhë nisi një transmetim të drejtpërdrejtë, ku paraqiti arritjet që administrata pretendon se ka shënuar përpara zgjedhjeve.
Transmetimi, i cili zgjati disa orë, përfshiu një sërë nismash, nga masat për frenimin e imigracionit të paligjshëm deri te politika e jashtme.
Mes rezultateve të përmendura nga administrata ishin ulja e deficitit tregtar, krijimi i vendeve të punës, arrestimi i qindra personave të dyshuar për abuzim seksual ndaj fëmijëve dhe nismat e programit “Make America Healthy Again” (MAHA).
Deklaratat e Trump vijnë në prag të zgjedhjeve të mesmandatit, të cilat do të përcaktojnë përbërjen e Kongresit amerikan. Presidenti u ka bërë thirrje republikanëve të rrisin pjesëmarrjen në votime, ndërsa ka paralajmëruar për pasojat që, sipas tij, do të kishte një fitore e demokratëve.