Kryetari i Bashkisë Kamëz, Rakip Suli, ka reaguar lidhur me raportimet për bojkotimin e mësimit nga gjimnazistët në këtë zonë, në kuadër të protestave që po zhvillohen në vend.
Përmes një deklarate, Suli pretendon se mësimi vijon normalisht në të 25 shkollat e Kamzës dhe se procesin mësimor e kanë bojkotuar vetëm rreth 50 nxënës.
Ai u ka bërë thirrje mediave që të verifikojnë nga afër situatën në shkolla, duke i cilësuar raportimet për bojkotin si keqpërdorim të rastit të një grupi të vogël fëmijësh, të cilët, sipas tij, janë nxitur nga manipulimet në rrjetet sociale.
Reagimi i plotë i Rakip Sulit:
U bëjmë thirrje mediave të mos keqpërdorin rastin e rreth 50 fëmijëve në Kamëz, të nxitur nga manipulime në rrjetet sociale.
Në të 25 shkollat e Kamzës, mësimi vijon normalisht, kështu që ftojmë mediat të vijnë dhe të verifikojnë nga afër vijimin normal të procesit mësimor në të gjitha shkollat e Kamzës.
Sot, falë mbështetjes së Kryeministrit Edi Rama, shkollat e Kamzës janë institucione me standarde të Bashkimit Europian.
Faleminderit!