Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se një ndërhyrje e re ushtarake e Shteteve të Bashkuara kundër Iranit është shumë pak e mundshme, nëse negociatat për programin bërthamor të Teheranit dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit shënojnë përparim.
Në një intervistë telefonike rreth 20-minutëshe për CNN, Trump përsëriti disa herë se nuk e konsideron të nevojshëm një tjetër operacion ushtarak, por la të hapur mundësinë e përdorimit të forcës nëse bisedimet dështojnë.
“Gjithçka varet nëse ata nënshkruajnë një marrëveshje shumë të fortë”, u shpreh kreu i Shtëpisë së Bardhë, duke iu referuar udhëheqjes iraniane.
Ai pretendoi se Irani ndodhet në një gjendje të rëndë ekonomike dhe ushtarake, duke përmendur shifrat e inflacionit dhe dëmet që, sipas tij, kanë shkaktuar sulmet e mëparshme amerikane.
“Është jashtëzakonisht e pamundur që të jetë e nevojshme t’i sulmojmë përsëri. Do ta bëja nëse do të ishte e nevojshme, por ne i goditëm shumë fort”, deklaroi Trump.
Trump: Kemi tre aeroplanmbajtëse, jemi gati për sulm
Pavarësisht preferencës së tij për një zgjidhje diplomatike, presidenti amerikan theksoi se forcat e SHBA-së në rajon janë në gatishmëri të plotë.
“Ne jemi gati. Kam tre aeroplanmbajtëse atje. E fundit sapo mbërriti. Ato janë të pajisura plotësisht dhe gati për të sulmuar”, tha ai.
Trump zbuloi gjithashtu se ushtria amerikane ka identifikuar objektiva të mundshme infrastrukturore në territorin iranian, mes tyre ura dhe termocentrale.
Sipas tij, 38 ura janë përfshirë në listën e objektivave që mund të shkatërrohen brenda një kohe shumë të shkurtër.
Megjithatë, presidenti amerikan tha se nuk dëshiron të ndërmarrë sulme të tilla, pasi shkatërrimi i infrastrukturës do ta vështirësonte ndjeshëm rindërtimin e vendit.
“Do të duheshin 10 vjet për t’i rindërtuar. Nuk më pëlqen të shkatërroj ura. Është një nga gjërat më të vështira për t’u ndërtuar”, u shpreh ai.
Pretendimi i Trump: Irani ka vetëm 10% të raketave dhe 15% të dronëve
Gjatë intervistës, Trump foli edhe për kapacitetet ushtarake të Iranit, duke pretenduar se sulmet amerikane kanë dobësuar ndjeshëm aftësitë mbrojtëse dhe sulmuese të Teheranit.
Sipas presidentit, sistemet iraniane të mbrojtjes ajrore janë shkatërruar, ndërsa vendi ka në dispozicion vetëm 10% të kapaciteteve të mëparshme raketore dhe 15% të arsenalit të dronëve.
“Ata nuk mund t’i ndalojnë sulmet, sepse nuk kanë më sisteme të mbrojtjes ajrore. E gjithë mbrojtja e tyre ajrore është shkatërruar”, pretendoi Trump.
Ndërkohë, negociatat mes Uashingtonit dhe Teheranit vijojnë të mbeten të bllokuara, pavarësisht përpjekjeve diplomatike ku është përfshirë edhe Katari si ndërmjetësues.
Një nga çështjet kryesore mbetet rihapja e Ngushticës së Hormuzit, një korridor jetik për transportin ndërkombëtar të naftës.
Në përfundim, Trump la të kuptohet se një marrëveshje e fortë diplomatike mund të shmangë përshkallëzimin e mëtejshëm, por paralajmëroi se ushtria amerikane është e gatshme të veprojë nëse situata e kërkon.