Në seancën te tensionuar dhe me përplasje të së enjtes, kaloi pa u vënë re edhe një lajm që lidhej me Elisa Spiropalin, deputeten socialiste e cila ka kritikuar hapur këto kohë kryeministrin Rama për sjelljen e tij në raport me protestat. Spiropali u caktua anëtare e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit, vendim i cili u bë i ditur nga drejtuesi i seancës, Niko Peleshi, gjatë prezantimit të ndryshimeve në përbërjen e delegacioneve parlamentare.
Sipas njoftimit, deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, do të jetë anëtare e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit, ndërsa deputetja socialiste Evis Kushi u caktua anëtare zëvendësuese në këtë delegacion.
“Në mbështetje të nenit 14 të Rregullores së Kuvendit, deputetja Elisa Spiropali… caktohet anëtare e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit. Ndërsa deputetja Evis Kushi caktohet anëtare zëvendësuese në këtë delegacion”, deklaroi Peleshi.
Caktimi u njoftua në një seancë të shoqëruar nga tensione politike, ndërsa opozita protestonte brenda sallës së Kuvendit dhe jashtë godinës vijonte protesta e qytetarëve dhe studentëve.
Ndërkohë që vetë Spiropali në të njëjtën seancë, u shfaq e tensionuar me sekretaren e Kuvendit, për shkak se gjatë votimit nuk e mbante në dorë kartonin jeshil.