Kryeministri Edi Rama ka vijuar ftesat për dialog ndaj studentëve dhe të rinjve që protestojnë në Tiranë, duke zgjedhur këtë herë një tjetër formë simbolike përpara godinës së Kryeministrisë.
Pas karrigeve dhe stolave të vendosur në ditët e mëparshme, përpara institucionit është vendosur një tavolinë e madhe prej guri, mbi të cilën janë vendosur fletë me mbishkrimin “Dialog”.
Vendosja e tavolinës vjen pas episodeve të mëparshme, kur ulëset e nxjerra përpara Kryeministrisë u larguan ose u dëmtuan gjatë protestave.
Ndërkohë, studentët vijojnë të refuzojnë ftesën e kryeministrit për dialog. Prej rreth dy javësh, ata kërkojnë dorëheqjen e Ramës dhe kanë bërë të ditur se nuk do të ulen në tryezë pa u plotësuar kërkesat e tyre.