Në video mesazhin nga Rinasi, Kryeministri i vendit, Edi Rama, mohoi akuzat kundrejt tij për fuqizimin e korrupsionit në institucionet shtetërore me “bekimin” dhe pjesëmarrjen e tij.
Rama tha se nuk ka kryer kurrë veprën penale të korrupsionit gjatë mandateve në krye të Bashkisë Tiranë, apo prej më shumë se 13 vitesh si kryeministër i vendit.
Shefi i ekzekutivit tha se çdo investitor që ka përfituar mundësi investimi apo zhvillimi të pronës nga firma e tij, e ka përfituar plotësisht konform ligjit.
“Ajo që mund të them me sigurinë më të madhe është se kurrë, në asnjë rast e për asnjë arsye, mua nuk më bën dot askush palë, për asgjë që në të 28 vjet e 4 muajt e shërbimit tim publik, mund të ketë prekur paratë e shqiptarëve, pronat e shqiptarëve, interesat e shqiptarëve.
Patjetër që mund të dalin plot e të flasin në emrin tim, apo kundër emrit tim.
Mund të thonë se pas një kërkese personale apo pune të tyre private, jam unë.Mund të thonë se pas një bëme korruptive a një gjëme kriminale, jam unë.
Mund të tregojnë përralla me arkitektët e tërë botës, mbledhur rreth meje për të pastruar paratë e kullave të mia.
Mund të rrëfejnë historira, me tërë kriminelët e Shqipërisë që mblidhen që të fitojnë zgjedhjet për mua.
Mund të thonë se oligarkët e Shqipërisë i fitojnë lekët me mua, që u shes atyre nën dorë copa Shqipërie dhe jetoj në saraje luksoze, e fluturoj në tërë qiejt e botës me avionë privatë, të paguar dhjetra miliona euro me taksat e shqiptarëve.
Të tëra e shumë më shumë se këto i kanë thënë dhe mund t’i thonë përsëri e përsëri, bashkë me të tjera të reja, që do t’u pjellë mendja e fantaksur prej luftës për pushtet apo e urrejtjes për vajmedet.
Po ama një provë të vetme, që një bir nëne ta ketë një qindarkë të tijën në xhepin tim apo në të ardhurat e familjes sonë, dhënë në këmbim të një firme të vetme të hedhur nga unë si kryebashkiak apo si kryeministër, nuk e nxjerrin dot kurrë. Sepse nuk ka lindur akoma ai lloj fenomeni.
E përsëris, unë mund të kem fajet e mia me siguri, nuk jam ëngjëll e as i pagabueshëm nuk jam jo e jo. Por faji që me siguri absolute nuk kam bërë kurrë, është që të tregtoj për para a për prona, pushtetin që shqiptarëve ua kam kërkuar për të rilindur Tiranën e pastaj edhe Shqipërinë.Kush më njeh e di mirë çfarë flas.”