Një automjet është përfshirë nga flakët mbrëmjen e së mërkurës në aksin rrugor Kardhiq-Delvinë, në zonën e Skërficës. Si pasojë, drejtuesi i mjetit, një 37-vjeçar, ka pësuar djegie të rënda të shkallës së tretë.
Sipas raportimeve, bëhet fjalë për një automjet tip “Volkswagen Touran”, me drejtues shtetasin M.Dh., banues në fshatin Fterrë. Dyshohet se mjeti ka marrë flakë gjatë lëvizjes.
Pas përfshirjes së automjetit nga flakët, drejtuesit i kanë ardhur në ndihmë kalimtarë të rastit. Njëri prej tyre, shtetasi S.A., nga Saranda, i cili po udhëtonte nga Tirana, ka arritur të shuajë flakët në trupin e 37-vjeçarit duke përdorur xhupin e tij.
Ai ka njoftuar gjithashtu spitalin dhe shërbimet e qarkullimit rrugor për ngjarjen.
Pas marrjes së ndihmës së parë në urgjencën e Sarandës, i plagosuri është transportuar me ambulancë drejt Tiranës, për të marrë trajtim më të specializuar për shkak të djegieve të rënda.
Për shuarjen e zjarrit në automjet ka ndërhyrë shërbimi zjarrfikës. Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes.