Moderatori dhe producenti Ardit Gjebrea është larguar nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), pas rreth tre orësh qëndrimi.
Në një prononcim për mediat, ai bëri të ditur se ishte thirrur nga prokurorët në cilësinë e personit në dijeni për një çështje që është nën sekret hetimor.
Gjatë prononcimit, moderatori nuk i kurseu as batutat për takimin me prokurorët. Ai tha se komunikimi kishte qenë miqësor dhe se i kishte ftuar ata në emisionin e tij, në një mënyrë që e përshkroi me humor si një kthim të ftesës.
“Jam thirrur për një çështje që është sekret hetimor. Isha si person në dijeni. Ishin miqësore dhe unë i ftova në programin tim. Edhe ata janë njerëz, kështu që më ftuan i ftova”, tha ai.
Deri më tani nuk janë bërë publike detaje të tjera mbi çështjen për të cilën Gjebrea është pyetur në SPAK.