Paketa fiskale e vitit 2027 mund të sjellë heqjen e taksës së qarkullimit nga çmimi i naftës dhe benzinës pas 15 vitesh në fuqi.
Nisma synon të lehtësojë barrën për konsumatorët, në një kohë kur çmimet e karburanteve po ndikohen ndjeshëm nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare.
Aktualisht çmimi i çdo litri naftë në Shqipëri rëndohet nga disa taksa. Akciza është rreth 39,4 lekë për litër, taksa e qarkullimit 27 lekë dhe taksa e karbonit 3 lekë. Mbi bazën e përbërë nga çmimi dhe detyrimet e tjera aplikohet edhe TVSH-ja prej 20%.
Por heqja e kësaj takse mund të ulë ndjeshëm çmimin e naftës dhe të lehtësojë barrën për qytetarët të cilët e paguajnë në çdo litër naftë.
Ndërkohë taksa e qarkullimit është 27 lekë për litër dhe mbi këtë shumë aplikohet edhe TVSH-ja prej 20%. Heqja e saj do të krijonte hapësirë për një ulje teorike të çmimit final të naftës dhe benzinës deri në 32,4 lekë për litër. Por ulja reale do të varej nga transferimi i plotë i efektit fiskal në çmimet e tregtimit.
Kjo lëvizje mund të amortizonte edhe më tej rritjen e pakontrolluara të çmimit të karburanteve që vjen nga tregjet nga ku Shqipëria i importon ato.