Gazetarja e kronikës, Anila Hoxha, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me zhdukjen e shqiptarit Erkan Nika, 28 vjeç, i cili rezulton i pagjetur që prej 25 shtatorit, kur anija e mallrave ku ishte pjesë e ekuipazhit u godit nga dronë pranë portit rus të Novorossiysk, në Detin e Zi.
Në reagimin e saj, gazetarja rrëfen shqetësimin e familjes së të riut, e cila prej ditësh pret një përgjigje për fatin e tij. Babai i Erkanit, Rexh Nika, i ka kërkuar ndihmë gazetares.
Erkan Nika punonte si inxhinier i dytë në anijen e mallrave Aroyat dhe ishte pjesë e një ekuipazhi prej 16 personash. Sipas rrëfimit të gazetares, disa prej anëtarëve të ekuipazhit mbetën të plagosur dhe u shpëtuan nga ekipet e kërkim-shpëtimit, por në anijen e dëmtuar nuk u gjet asnjë gjurmë e 28-vjeçarit.
Në postimin e saj, Hoxha thekson se familja ka kërkuar ndihmën e autoriteteve përkatëse, por deri më tani, sipas saj, nuk ka marrë përgjigje konkrete. Ajo përshkruan ankthin dhe pasigurinë e të atit, i cili vijon të shpresojë për gjetjen e të birit.
Përmes gazetares, familja Nika u bën thirrje spitaleve, institucioneve shëndetësore, policisë dhe autoriteteve në Rusi, Gjeorgji dhe zonat përreth Detit të Zi që të kontrollojnë regjistrat për pacientë të paidentifikuar, persona të plagosur apo individë të gjetur në zonat bregdetare.
Familja kërkon gjithashtu ndihmën e institucioneve shtetërore shqiptare për të zbardhur fatin e Erkanit dhe për të siguruar komunikimin me autoritetet përkatëse.
Postimi i plotë:
Ku është Erkani?
Për shkak të profesionit jeta e Erkanit ishte e lidhur me detin. Si inxhinier i dyte i anijes së mallrave Aroyat Erkani 28 vjec qëndroi disa javë në Durrës. Qe pjesë e ekuipazhit prej 16 personash, që me pas teksa po lundronin ne Detin e Zi u bombarduan me dronë.
I ati Rexh Nika më telefonoi nga Turqia, aty ku familja u zhvendos prej 1997 dhe nisën një jetë tjetër.
Kërkoi ndihmë .
Pret të birin , për të cilin nga 25 shtatori kur anija u sulmua me dronë pranë portit rus Novorossiysk nuk dinë asgjë.
Pritja është e rënde. Koha ka ngecur. Tre shtete Shqipëri- Turqi- Rusi nuk kanë asnjë përgjigjje
Cfarë ndodhi me të?
Disa nga anëtarët e ekuipazhit që mbetën të plagosur , u shpëtuan nga ekipet e kërkim shpëtimit. Në anijen e dëmtuar nuk u gjet asnjë gjurme e Erkanit. Ku është Erkani??
Mes lotëve dhe tronditjes i ati më thotë në telefon se në darkë para se të flinte i nisi një lutje.
Biri ju përgjigj të nesërmen , duke i treguar vendodhjen e fundit. E bashkë me të dhe fjalën e fuqishme ” amin “
Rexha lutet : “U bëjmë thirrje të gjitha spitaleve, të gjitha institucioneve shëndetësore, policisë, autoriteteve dhe institucioneve përkatëse në Rusi, Gjeorgji dhe përreth Detit të Zi që të kontrollojnë regjistrat e tyre për pacientë të paidentifikuar, persona të plagosur, ose individë të gjetur në zonat bregdetare të Detit të Zi. Kërkojmë ndihmë nga institucionet shtetërore të Shqipërisë”
Por heshtje. Ka heshtje. Askush nuk di të thotë ku është Erkani, komunikimet konsullore jane inegzistente
Edhe njëherë të dhënat e Erkan Nikës, familja e të cilit në këto orë të vështira pret një përgjigjje