Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka reaguar lidhur me protestën e zhvilluar sot në Tiranë, duke dënuar aktet e dhunës dhe dëmtimin e institucioneve publike.
Përmes një deklarate, Gonxhja thekson se e drejta për të protestuar është e pacenueshme, por sipas tij, ajo nuk mund të përdoret si justifikim për dhunë, zjarrvënie apo shkatërrim të pronës.
Ministri nënvizon se institucionet publike nuk u përkasin partive politike, por qytetarëve, duke argumentuar se sulmet ndaj tyre dëmtojnë interesin publik dhe cenojnë rendin.
Në reagimin e tij, Gonxhja shprehet gjithashtu kundër akteve të vetëgjyqësisë dhe krijimit të kaosit, ndërsa thekson se Shqipëria duhet të vijojë rrugën e saj drejt integrimit europian.
“Asnjë barrikadë nuk mund ta ndalë rrugën europiane të Shqipërisë!”, shkruan ministri, duke shtuar se, sipas tij, destabilizimi nuk i shërben interesit të vendit.
Gonxhja vë theksin edhe te rëndësia e mbrojtjes së trashëgimisë kombëtare, përfshirë objektet e kulturës, monumentet dhe muzetë, të cilat përbëjnë një pasuri të përbashkët dhe duhet të ruhen nga dëmtimet.
Në përfundim, ministri bën thirrje për respektimin e së drejtës së protestës, por edhe për ruajtjen e karakterit paqësor të saj dhe mbrojtjen e institucioneve publike.
REAGIMI I PLOTË
Asnjë barrikadë nuk mund ta ndalë rrugën europiane të Shqipërisë! E drejta për të protestuar është e pacenueshme, por nuk i jep askujt të drejtën të ushtrojë dhunë, të vërë zjarr apo të shkatërrojë. Institucionet nuk janë të partive: ato u përkasin qytetarëve dhe sulmet ndaj tyre cenojnë rëndë rendin dhe interesin publik! Vetgjyqësia, urrejtja, kaosi nuk janë as zgjidhje as alternativa! Axhenda e destabilizimit i shërben vetëm interesave antishqiptare, në momentin më të lartë historik të progresit tonë demokratik, kombëtar e integrues!